BARNATORET NUK DUHET TË TRAJTOHEN SI OBJEKTE TREGTARE
Profesioni farmaceutik është i rregulluar me ligj dhe parasheh jo vetëm lëshimin e barnave me recetë nga mjeku përkatës, por edhe këshilla profesionale për aplikimin e terapisë
Barnatoret janë institucione shëndetësore të nivelit primar dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të trajtohen si objekte tregtare, sepse veprimtaria e tyre është veprimtari shëndetësore farmaceutike, e cila është pjesë e veprimtarisë shëndetësore dhe ka interes publik. Profesioni farmaceutik është i rregulluar me ligj dhe bartës të tij mund të jenë vetëm persona të licencuar profesionistë – farmacistë, me arsim të lartë të përfunduar, me licencë pune, e cila rinovohet çdo shtatë vjet sipas kushteve të përcaktuara me ligj, për marrjen e së cilës kërkohet punë prove paraprake dhe provim profesional i dhënë. Kjo thuhet në letrën që Oda Farmaceutike e Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka drejtuar ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në të cilën jep mbështetje të pakushtëzuar për Shoqatën e Barnatoreve Private të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Shoqata kërkon kategorikisht përjashtimin e institucioneve private shëndetësore – barnatoreve, nga zbatimi i dispozitave të Rregullores së re për mënyrën e publikimit të çmimeve dhe mallrave në faqet e internetit, të cilat duhet të përgatiten dhe përditësohen nga subjektet tregtare, përfshirë edhe barnatoret.
Në letrën e Odës drejtuar ministrit Durmishi thuhet se profesioni farmaceutik është i rregulluar me ligj dhe se përfshin jo vetëm lëshimin e barnave me recetë nga mjeku përkatës, por edhe këshilla profesionale për aplikimin e terapisë dhe edukim, që në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si veprimtari tregtare, pra të trajtohen si “tregti me pakicë e produkteve farmaceutike”.
Pikërisht këto aspekte janë përfshirë në ankesën që Shoqata e Barnatoreve Private të Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, si propozues i Rregullores së re për mënyrën e publikimit të çmimeve të mallrave, në të cilën barnatoret trajtohen si tregtarë të zakonshëm.
Shoqata në ankesën drejtuar ministrisë përkatëse shprehet kategorike se detyrimi i barnatoreve për të publikuar çmimet e të gjitha produkteve në faqet e tyre të internetit nuk është në përputhje me funksionin e tyre shëndetësor dhe krijon barrë shtesë administrative që largon stafin profesional nga veprimtaria bazë – kujdesi për pacientët. Shoqata shpreh mospajtim me kodin e ri të veprimtarisë me të cilin veprimtaria farmaceutike barazohet me tregtinë e zakonshme dhe kërkon që të rikthehet kodi i vjetër, nën të cilin ishin regjistruar barnatoret dhe që pasqyronte specifikat e veprimtarisë farmaceutike.
Mbështetje të pakushtëzuar për ankesën e Shoqatës së Barnatoreve Private i dhanë edhe përfaqësuesit e Shtabit të Krizës të fushës farmaceutike, të përbërë nga Oda Farmaceutike e RMV-së, fakultetet e farmaceutikës pranë universiteteve në Shkup, Shtip dhe Tetovë, MALMED, Shoqata e Farmacistëve Shqiptarë dhe Shoqata e Barnatoreve Private të RMV-së. Shtabi i Krizës thekson se, sipas Ligjit për mbrojtje shëndetësore, apotekat nuk janë objekte klasike tregtare, por pjesë e sistemit shëndetësor në nivelin e mbrojtjes primare shëndetësore. Fusha farmaceutike thekson se në apoteka punojnë punonjës shëndetësorë të licencuar – magjistra farmacie dhe teknikë farmaceutikë që kryejnë një veprimtari shëndetësore të kontrolluar rreptësisht, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë, MALMED-it dhe Odës Farmaceutike. Për të gjitha këto arsye, është e domosdoshme që shteti të bëjë një dallim mes objekteve tregtare dhe barnatoreve, të cilat duhet të lirohen nga ndikimi thelbësor i ligjeve tregtare, sipas shembullit të vendeve të zhvilluara të Evropës Perëndimore dhe vendeve të rajonit.
Të gjitha këto qëndrime, anëtarët e Shtabit të Krizës i shprehën në takimin me ministrin e Ekonomisë, Besim Durmishi, i cili shprehu mirëkuptim për argumentet e paraqitura dhe siguroi se ankesa dhe kërkesa janë të qëndrueshme dhe se do të shqyrtohen dhe zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur.
Qëndrimet e tyre, anëtarët e Shtabit të Krizës i përsëritën edhe në takimin me ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari, nga i cili po ashtu kërkuan mbështetje për kërkesat e tyre. Përfaqësues të fushës farmaceutike që realizuan takime me ministrat përkatës ishin: Xhoana Andonoska, Vesna Stavrova, Zoran Sterjev, Merlind Bejxheti, Biljana Bozhinovska dhe Marija Fidanovska.